Floriani pa mbiemër …

Floriani është 15 muajsh, por “nuk ka mbiemër”. Floriani fle në të njëjtin djep që ka përkundur të ëmën, kur ajo ishte e vogël dhe kur askush s’kishte menduar ta shiste, e me paratë e fituara nga trupi i saj të luante bixhoz. Ai nuk do t’ia dijë se dërrasat e kullës kush e di sa vjeçare kërcasin gati në të shembur sa herë që dikush përkund djepin e tij. Floriani fle, në të vetmen dhomë me dritë elektrike të kullës së shembur të Barmetajve në Shëngjun të Klosit. Ai ende nuk e ka kuptuar që në dhomën ngjitur ka dhënë shpirt e prerë në mes prej plumbave e ëma, Valentina, 20 vjeçe… Floriani fle, mes erës së kalbur të dërrasave dhe shtrojave, që shërbejnë si mbulojë e strehë për 7 pjesëtarët e mbetur të familjes së tij. Mes rrënojave që e ëma kishte menduar t’i ndryshonte, për t’i bërë më të sigurta për të, me ato pak para që tutorët i kishin lënë të mbante e që u kthyen t’ia merrnin bashkë me jetën.
Floriani nuk ka mbiemër, askush nuk i ia njeh të atin dhe ai vetë kurrë nuk ka për të njohur të ëmën. Nëse do të jetë me fat e nuk do ta lënë në mizerie, ai do të jetojë aq shumë sa të dëgjojë, por kurrë nuk ka për të kuptuar mynxyrën. Ai është bir i një nëne që u shit rrugëve dhe i një babai që bleu. Viktima më e fundit e varfërisë e mjerimit në shtëpinë e Barmetajve në fshatin Shëngjun, 7 kilometra larg Klosit e mijëra kilometra larg atij që jemi mësuar ta quajmë qytetërim, e që kurrë s’kishte dëgjuar për Florianin. Derisa kurrkushi Urim Jahja, vendosi të sharronte në mes me dhjetra plumba të ëmën, që vraponte në korridoret e errëta të kullës së rrëzuar duke kërkuar shpëtim.
Ajo, Valentina, ka rënë të flerë përjetësisht në një dhomë të mbushur me rrecka të pista pa ngjyrë, që mban po të njëtën erë kalbësire e morti si e gjithë shtëpia gjysëm e shembur e Barmetajve. Urimi (që s’paska qenë i tillë), thonë të jetë vetëvrarë nga plumbat e të njëjtës armë 15 kilometra më larg, në një fshat tjetër, mes një are me misër, me armën e gjakut te koka. Asaj Valentinës, shërbimet e mortit ia kryen në oborr, e të paktët njerëz të dashur e përgjuan një natë të tërë nën yje kurmin e bërë shoshë nga plumbat e një arme që ca e quajnë “Sharrs” e të tjerë “Kallash”. Atë thonë ta kenë varrosur të tijtë, të cilët kur ishte gjallë ia mallkuan emrin.
7 kilometra nga Klosi e mijëra të tjera nga qytetërimi takuam Valdetin, vetëm 13 vjeç, i cili thotë se qau, kur pa të huajin që qëllonte kë të mundte me automatik dhe i ndiqte të motrën nën strehën e shtëpisë që ata po mundoheshin të rregullonin. Sonilën, 10 vjeç, që s’afrohet kurrë e megjithatë na ndjek si hije nëpër korridorin e errët të shtëpisë ku u bë gjëma. Nezirin, babain që rri vetëm ulur, mbi dy këmbë që me zor e mbajnë e që mezi ka kuptuar ç’ka ndodhur. Adivien, gruan që duket si muranë me duar të fshehura nën përparësen e zezë të fustanit, që pëshpërit po nuk qan, që ankohet, por nuk ka asnjë shpresë. Takuam Florianin, 15 muajsh, ndërsa flinte i vetëm mes mizash, mbi një djep të gdhendur kushedikur. U pamë me gjyshen, që nuk dëgjonte, por që na tha se nuk i duhej jeta kur vajzën ia kishin rrëmbyer ndër duar. Vrasësi ia ka përplasur kokën në gur, kur ajo i ka dalë përpara dhe është përpjekur ta ndalë, e tani gjyshja që nuk dëgjon mirë nga veshët, uron që të kishte vdekur.
7 kilometra nga Klosi e mijëra të tjera nga qytetërimi u ngjitëm mbi katër shkallë të kalbura të një kulle që dikur duhet të jetë mbajtur, por sot është gracka e nesër mund të jetë varri i 7 frymëve që jetojnë në të. Për ta gjetur na u desh të futemi në një rrugë fshati të shtruar me gurë të mprehtë e më pas t’i ngjitemi një kodre me toka të papunuara e të thata prej mungesës së ujit, mollësh të egra, e kullash të tjera të rrënuara si ajo. Të mësuar me mort, pritëm të dëgjojmë ndonjë zë vaji, por gjithandej kishte vetëm heshtje. 6 a 7 burra pjesa më e madhe komshinj e 6 a 7 gra të ulur në formë rrethi, në hijet e ca pemëve të egra, e që tymosnin cigare e flisnin nën zë. Ishin shenja e parë e mortit. Sipas dokeve ne u ulëm me ta. Se Barmetajt, nuk kishin odë për miqtë. Ndoshta kanë pasur, por sot në dhomën e miqve ishte ulur këmbëkryq vdekja, e kurrë kush nuk guxonte ta zbonte prej saj. Nën hije e një fiku po aq të egër sa toka e shkretuar prej ujit, u thanë shumë gjëra. U fol për një ujësjellës të lënë përgjysmë, për një tunel që do të sillte hekurudhën, e që në të vërtetë përpiu të gjitha burimet me ujë të fshatit.
Pastaj folën për vdekjen, me një gjuhë po aq të lashtë sa edhe malet e kodrat për rreth. Gjithçka kishte filluar të “djellënatën” (19 gusht 2006), kur një burrë i armatosur deri në dhëmbë, kishte shkelur mbi dërrasat e kalbura të shkallëve të shtëpisë së Barmetajve dhe u kishte drejtuar armën atëherë tetë frymëve që popullonin kullën. Kishte kërcënuar se do vriste babain ulok, nënën, tre fëmijët, foshnjën në djep dhe Valentinën, nëse kjo nuk i jepte paratë apo nuk kthehej të punonte për të. Vali s’kish dashur. Paratë ndoshta as i kishte e për t’u kthyer në “ferr” nëse nuk ishte aty, as që i shkonte mendja. “Motra i tha se ai e kishte torturuar, se i kishte vënë sa herë thikën në fyt, se e kishte rrahur dhe se ia kishte marrë të gjitha lekët dhe se tani ajo kurrë nuk mendonte të shkonte më me të”, tregon Valdeti, vëllai 13 vjeçar i të ndjerës. Dikur të “djellënnatën” gjyshja e vjetër sa ngjan me muret e kullës, ndoshta se mezi qëndron në këmbë e ndoshta prej vragave në fytyrë, që duken të njëllojta me të çarat në mure, është ngritur dhe e ka zbuar njeriun me armë. Askush nuk di të thotë si mundi gjyshja më shumë se 80 vjeçe, të largonte nga ndërtesa vdekjen, që sidoqoftë nuk iku larg.
Atë natë të trembur Barmetajt telefonuan në numrin e inspektorit të zonës në policinë e Klosit, por as ai as tjetër njeri nuk u duk në kullën e largët. Tre orë më vonë erdhi dhëndëri i shtëpisë (burri i të motrës së Nezirit), e vetmja mbrojtje e padobishme, deri sa vërtetë nuk mund të mbronte askënd. “Fola në celularë me policinë e Burrelit, madje mora një nga krerët e saj dhe pas disa minutash më telefon inspektori i zonës, njeriu që duhej të merrej me këtë ngjarje. “Po ti përse ke marrë në telefon në Burrel”- më tha- “Atë çështje po e ndjek unë dhe ai njeri është larguar nga Klosi”, tregon ai për bisedat me policinë. Ndërsa shton se i ka thënë punonjësit të shtetit se si e dinte se kërcënuesi kishte dalë nga Klosi, kur nuk kishte lëvizur as gishtin, e nëse e dinte përse nuk e kishte arrestuar. Përtej receptorit të telefonit të xhepit, i vetmi mjet që lidh fshatin me pjesën tjetër të botës u kishin lënë një takim për të bërë kallëzimin, të nesërmen në orën 9.00 të mëngjesit. Valentina kishte shkuar sëbashku me njërin nga vëllezërit. Kishin treguar gjithçka, e në mos gjithçka aq sa kanë mundur të thonë dhe policia u kishte lënë takim të nesërmen që nuk erdhi asnjëherë.
Të nesërmen që nuk erdhi asnjëherë…, Valentina dhe dy vëllezërit, e ndonjë komshi që kishte ardhur për t’i ndihmuar, kishin punuar gjithë paraditen për të ulur nga çatia e rrënuar e kullës së tyre tjegullat e çara, me shpresë se në një mënyrë a një tjetër do të mund të rregullonin diçka në atë ndërtesë të rrënuar. Të paktën aq sa të mund të mbante dimrin. Fqinjët thanë se vajza kishte sjellë aq para sa të mund të rregullonte shtëpinë, në të cilën e vetmja gjë e re ishte një shtrat i papërdorur për fëmijë, që ndoshta vajza e kishte blerë me paratë e trupit dhe turpit. Të nesërmen, kur komshinjtë që kishin ardhur për të ndihmuar shkuan secili në shtëpinë e tij, e kur Valentina bënte punën e muratorit në çatinë e shtëpisë, Urimi (që s’qe i tillë) doli nga një pyll i vogël me shkurre aty pranë. I armatosur me armën gati për zjarr. “Ai i tha motrës të zbriste nga çatia, por kur ajo nuk pranoi, e kërcënoi se do ta vriste dhe unë fillova të qaja”, – tregon Valdeti. Më tej 20-vjeçarja është hedhur nga çatia, duke u kacavjerrë, por në vend që t’i afrohej ish-tutorit, në atë moment kërcënuesit, e më pas vrasësit e vetëvrasësit, është larguar duke u përpjekur të mbrohet rrëzë mureve. Plumbat e parë nuk e kanë zënë, e në e kanë zënë nuk kanë lënë shenjë. Urimit i ka dalë në rrugë fillimisht vëllai i madh, 18 vjeç, i cili pa e ditur se ç’të bënte është detyruar të ikë nën kërcënimin e armës. Më pas, vdekjes i ka dalë sërish përpara gjyshja. Ekzekutori 32 vjeç e ka shtyrë këtë të fundit dhe e ka përplasur pas murit dhe sërish ka shtënë mbi vajzën. Plumbi i parë e ka detyruar Valentinën të hiqet zvarrë. Në korridorin me dërrasa të brejtura nga krimbat dallohen disa shenja gjaku, si njolla të zeza mbi blozën e mureve. “Ajo ka ecur deri në dhomën e dytë, e cila përdorej për të mbajtur rrecka pa fund, me shpresën që të dilte nga dritarja e kësaj e të hidhej sërish në rrugë, por nuk ia ka dalë e shkreta vajzë”, – tregon halla e saj, ndërsa na rrëfen vendin ku Valentina ka rënë për herë të fundit. Këtu ai ka shkrehur edhe disa herë armën e më pas ka ikur. Orë më vonë ka ardhur policia. Orë më vonë mjaft njerëz janë mbledhur rreth trupit të pajetë të vajzës, nënës, të shiturës. Vajin e kanë ligjëruar në qiell të hapur, mu në vendin ku autopsia, e vetmja gjë që i pati mbetur të bënte shtetit për Valentinën, numëroi 20 plumba në trupin e saj. Në të njëjtin vend, ku ndoshta Valentina kishte ëndërruar të kërcente me vellon që nuk e veshi as në dy “dasmat” e saj të pafata.
48 orë më vonë, kurrkushi Urim që u bë i njohur në të gjitha ekranet e vendit tonë të vogël se kishte masakruar me plumba një vajzë të pambrojtur, i kthen të njëjtën grykë vetes. Kështu mbyllet gjithçka, ose të paktën duket sikur mbyllet gjithçka. Ndoshta deri kur Floriani të ngrihet nga djepi, në mos u rrëzoftë në shkallët e kalbura, dhe të pyes për historinë e tij, nëse ai do të ketë një histori. Çfarë do t’i tregojnë Florianit? Ndoshta do t’i flasin për OJQ-të që e bëjnë luftën kundër trafikut të vajzave në salla seminaresh me kondicionerë. Ndoshta do t’i tregojnë për policët që i kapin kriminelët, pa lëvizur as gishtin nga shtëpia e tyre. Në fund fare, mund t’i tregojnë për të ëmën, vajzën, të shiturën, të prerën në besë nga shkallët e kalbura dhe muret e rrënuara të kullës së Barmetajve që nuk mundën ta mbronin. Botuar ne Standard

 

Krasta Krau

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: