Margjinale me pak

Fiqereti punonte si roje nate në një parking pallati në lagjen Ali Demi. Ndërsa gjatë ditës rrinte tek Ushtari i Panjohur me një çantë me pajisje hidraulike. Gruaja e tij, Yllka, vuante nga një depresion i rëndë dhe nuk dilte nga shtëpia. Prej vitesh tashmë. Vajza e vetme, Linda, jetonte në Amerikë. Kishte gjashtë vite që nuk kthehej në atdhe. Fliste rrallë me prindërit në telefon. Një herë në 3-4 muaj dhe përgjithësisht në periudhën e ndërrimit të viteve, kur njeriu ndihet më i vetmuar kur është i vetmuar.

Fiqereti kishte kohë që ndjente një si mpirje të gjymtyrëve kur zgjohej nga gjumi. Një si gonxhe mu poshtë gurmazit, si dhe një dhimbje koke diku mbrapa syve. Gjithashtu, kishte vënë re se kolla e mëngjesit i qe bërë më e gjatë dhe më e thellë. Sikur e kishte ulur tonalitetin dhe e kishte trashur timbrin. Cigarja ishte një shoqe e pazëvendësueshme e momenteve të qetësimit, që ishin të rralla gjatë ditës, si dhe një roje e pashmangshme e çasteve të ankthit dhe nervozizmit, që gjatë ditës ishin më të shpeshta se ç’duhej. Kishin filluar t’i lëkundeshin edhe nja 2 nga dhëmbët e mbetur në gojë. Para dy ditësh i kishte rënë njëri. Në nofullën e poshtme.

Gjith e më shpesh kishte vështirësi të mëdha të flinte. E gjente veten zgjuar në 5 të mëngjesit duke numëruar makinat e parkuara. Dhe ashtu, në atë numërim monoton, i vinte dhe i ikte ndonjë mendim.

Po sikur të zhdukem. Një gotë ujë me bar miu. Me fund. Ose të hipi në majë të shkallës së pallatit dhe të kërcej nga kati i gjashtë. Po jo se ashtu bëj shumë zhurmë. Qarkullimi para shkallës do të bllokohej gjithë ditën. Fëmijët do të dilnin dhe do të tmerroheshin. Do vinte policia. Zhurmë e madhe në lagje. U hodh, do thonin. E la vajza të vdiste i shkretë, si mjeran. Linda do të kthehej nga Amerika. S’mund t’ia bënte asaj këtë.

Ah, ajo mut kufome. Sikur të mos ngelte kufoma, mendonte, do të qe vetvrarë me kohë. Kufoma e komplikonte punën. Sikur të mos ngelte kufoma ai veç do të zhdukej. Do të bënte si ato shkëndijat që shkëputen nga zjarri dhe fiken nuk dihet kurrë mirë se ku. Askujt nuk do t’i mungonte. Veç mund të bëhej kurioz për të ndonjë nga shoferët që parkonin makinën te sheshi para pallatit. Vendin e tij do ta zinte dikush tjetër brenda javës, ishte i sigurtë. Dhe atëhere nuk do të pyeste më njeri nga humbi e u zhduk Fiqo. As komshinjtë, që në këto vite ishin ndërruar disa herë. Ai kishte hequr dorë së foluri komshinjve dhe ata i ishin përshtatur situatës mjaft shpejt.

Nuk donte të ishte më i detyruar të shihte përtokë kur e shihnin në sy. Nuk donte të ishte i detyruar të shmangte shikimin e Gimit të marketit kur i vinte dita e pagesës së listës së ushqimeve dhe nuk i dilnin paratë. Nuk donte të ishte më i detyruar të shihte banakun te farmacisti, kur ai i thoshte që këtë ilaç nuk e mbulojnë sigurimet. Për këtë duhej të paguante, por ai nuk kishte me se të paguante. Dhe i thoshte farmacistit ta vendoste prapë në raft ilaçin. Kjo i kishte ndodhur dy herë. Herën e dytë farmacisti qe nevrikosur. “Pse më lodh ta marr kur e di se sa bën dhe nuk i ke lekët? A s’ke punë tjetër?” Sa turp i kishte ardhur. S’kishte vajtur më në atë farmaci. Ah, kufoma, mendonte… Kufoma e prish punën.

Një të mërkurë në darkë, duke u kthyer në shtëpi, vërejti që dritat e dhomës së ndenjies, që shihte nga oborri i pallatit, ishin të fikura. Menjëherë e kuptoi që kishte diçka jo normale në këtë fakt. Pallati kishte energji elektrike. Në këtë orë nuk qëllonte kurrë që drita të ishte e fikur. Yllka ishte gjithnjë në shtëpi në atë orë. Gjithnjë me dritën ndezur. Ndjeu gjakun t’i rrihte në tëmtha. Iu duk sikur koka iu nxeh në vend. Shpejtoi hapat për te dera dhe e hapi atë me nxitim. Brenda ishte terr. Ndezi dritën e mesores dhe pa që në dhomën e madhe nuk kishte njeri. Vetëm në atë moment i vajtën sytë nga dhoma e gjumit, që ishte e mbyllur. Për një moment shpresoi që Yllka të ishte duke fjetur. Bëri 2 hapa në drejtim të derës dhe e shtyu. Kur ndezi dritën ngjyra e parë që pa ishte e kuqja. Dhe sa kontrast bënte ajo me të bardhën e mbulesës së krevatit. Dhe pasaj e bardha e pisët e gruas së tij. Ajo rrinte si e ngrirë. Me kokën mënjanë. Duhet të kishte të paktën disa orë që kishte vrarë veten. Fiqereti nuk tha asgjë. As nuk lëvizi për disa çaste. Kokën e kishte krejt bosh. Gati si mumje iu drejtua derës së jashtme. I ra derës së komshinjve dhe i doli Irisi, bija 16-vjeçare e Nikajve. “Të lutem, merr në telefon dikë! Gruaja…ka vdekur.”
Zëri i doli pa asnjë variacion, si metalik, i thatë. Iku pa e parë reagimin e vajzës. U kthye në shtëpi dhe nuk guxoi të kthehej në dhomën e gjumit. Vajti e u ul në divan. E ndjeu sërish kokën plumb, por pa asnjë mendim. Si një kallup i rëndë, por bosh.

Duke qendruar aty, në divan, një mendim i erdhi si nga prapa kokës, si t’ia kishte pëshpëritur dikush në vesh me zë të ulët. Atij s’i kishte pëlqyer kurrë gjaku. E urrente gjakun. Gjaku ishte gjithnjë si një lajmëtar që dihej që sillte lajme të këqija. E kuptoi që i kishte shtrenguar shumë fort nofullat. Shumë fort. Sa s’po i plasnin. E kuptoi këtë dhe i liroi. Por kur hapi nofullën vërejti që i kishte rënë edhe një dhëmb tjetër. I fundit, mendoi. Ky është dhëmbi i fudit që më bie. Dhe siç ishte u ngrit, doli dhe iu drejtua katit të gjashtë.

Strangeman

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: