Bukë prej plehrash

Ajo zgjat dorën si për të penguar prej sëlargu aparatin fotografik. “Mos më nxirr. Jam duke fituar vetëm bukën e gojës”, shfajësohet me zë të ngjirur ndërsa trupi i lëkundet në peshën e një thesi të pistë që mban mbi shpinë. Ajo vetë është e pistë. Mbi flokët korb të zeza, shkëlqejnë copëra qesesh plastike të mbetura aty prej betejës së fundit me eskavatorin që varros pasurinë e saj prej plehrash. Nuk është më shumë se 10 vjeçe dhe jeton mes tymit e plehrave në Sharrë, ndoshta që prej lindjes së saj…

Peisazh i shkëputur prej ferrit
Një si punë buldozeri, që më shumë duket një sajesë e përbidshme pasi rreth zinxhirëve e gjithçkaje i janë ngjitur qeska, copa të grisura dhe shumë blozë, lëviz përtueshëm duke shtyrë me turij pisllëkun e fushës, ku blidhen plehrat e kryeqytetit. Pas tij vijnë njerëzit që mezi duken mes resë së tymit që shkaktohet nga djegia dhe një tufë zogjsh, qensh e gomerësh të rrjepur si lebrozë, të gjithë duke rrëmuar në plehra. S’kemi më shumë se dy minuta që kqyrim pejsazhin ose më mirë paformësinë e gjithë kësaj që duket e ngjashme me ferrin, megjithëse shpirtrat që vijnë vërdallë janë të gjithë të gjallë…
“Këtu nuk ka vdekur asnjë njeri që prej 7 vjetësh”, thotë Edmondi, po kështu të paktën ia dëgjuam emrin, ndërsa shokët bënin shaka me të, në gjuhën rome. “Për Zotin”, betohet ai duke parë që ne shtrëbrojmë buzët sa prej mosbesimit aq edhe prej tymit, katranit, erës së bajgave e gjithçkaje tjetër që na hyn në hundë. Duke hapur krahun për të përfshirë fushën e plehrave dhe një grumbull barakash shton duke shtrembëruar fjalët: “Ja në gjithë këtë zonë. Kemi fituar inumitet edhe fëmijët, janë bërë më të fortë”…
Uturima e motorrit të një makine të madhe, largon prej nesh fëmijët kuriozë dhe dy tre të rinj që kishin ndaluar, për të pirë një cigare, tymi i sëcilës zor se binte në sy mes mjegullës që ngrinin mbetjet që digjeshin. Të gjithë rendin pas makinës së plehrave, në pritje të “xhevahireve” që ajo do të derdhë enkas për ta. E sado paradoksale të duke, mbërritja e një makine të tillë këtu është një festë e madhe, mund ta kuptosh lehtë nga brohëritjet e fëmijëve që kapen pas hekurave të saj. Minuta më vonë një nga fëmijët kthehet dhe na tregon me mburrje lodrën, një rraketake e prishur, që kishte gjetur ndërsa makina zbrazej. “Edhe rrobat, edhe këto këtu i kam gjetur,” thotë ndërsa kap me dorë pantallonat dhe kërkon që t’i bëjmë fotografi…

Sharra ja kthen borxhin Tiranës
Ndërsa ne shkrepim andej këndej aparatin dhe ruhemi të mos shkelim keq edhe pse s’kemi shumë shance për të shpëtuar, karro të tërhequr nga kuaj, motorçikleta të vogla të cilave u janë montuar karroceri, të gjitha të mbushura me thasë nisen sërish drejt Tiranës. Kështu brenda një ore a më pak, Sharra ia kthen borxhin kryeqytetit, duke i kthyer plehrat me gjithë erën e tyre të rëndë, por kësaj radhe për t’i ricikluar. Madje ato janë të ndara, shishet dhe kavanozët veç, qeskat veç, bidonat plastikë në një anë dhe kartona e letra në anën tjetër. Të gjitha kthehen pas dhe të gjitha shiten. “Këtu bëhen miliona”, thotë Edmondi, të cilin e kemi zgjedhur udhërrëfyes. E ndërsa ne vazhdojmë të mos e besojmë, ndoshta për shkak të theksit me të cilin e flet shqipen. Ai vendos të japë prova: “Çdo njeri në Sharrë fiton 7 deri 8 mijë lekë në ditë dhe këtu punojnë 200 veta (rreth 1.4 milion lekë në ditë), të gjithë si familje nga më i madhi te më i vogli.” Po ky sipas tij është vetëm fitimi i punëtorëve të thjeshtë, i atyre që fusin turijtë dhe numërojnë me duar gjithçka të gjetur, pasi pjesën më të madhe të parave e fitojnë grumbulluesit e parë apo ata që marrin plehrat nga punëtorët dhe llokmën e madhe e marrin grumbulluesit e mëdhej.
Punët janë të ndara mirë edhe këtu ku duket se mbizotëron kaosi total. I vetmi “armik” i “njerëzve të plehrave” është buldozeri që përpiqet të ngulë në dhe gjithçka derdhet nga makinat e që është mbledhur në kazanët e kryeqytetit, por ai me atë ngadalësinë e tij prej makine të vjetër, zor se ia del mbanë para shkathtësisë së qindra duarve që i heqin m’u para thikës atë që për ta është buka e ditës.

Fushatë e korruptuar në fushën e plehrave
S’ka kaluar shumë që kur kemi mbërritur në këtë anë të Tiranës dhe jemi më pesimistë se kurrë, e sigurisht kemi dhimbje koke. “E di kur do të bëhet Shqipëria, ja kur ato kodrat të mbushen të gjitha plot”, thotë një burrë gjatosh me flokë kaçurrela të gjata e duar tërë zift, duke treguar nga ajo si biçim lugine ku ndodhen varrezat e Sharrës. “Kur të ketë aq varre atëherë do të hyjmë në Evropë,” shton për të qenë të sigurtë që e kemi kuptuar parashikimin e tij të zymtë prej “Nostradamusi plehrash”. Më tej duke na parë në sy, si duke pritur me doemos pohimin tonë vazhdon: “Lëre çfarë thonë presidentët (politikanët)”…
Një djalë më i ri, që thotë se ka ardhur aty vetëm për të takuar miqtë e tij, na tregon se këtu kishte ardhur një nga “presidentët” (ai duket se ka rënë në dashuri me këtë fjalë të zbuluar aty për aty se e përdor gjithëandej), dhe u kanë premtuar nga 100 euro për familje të gjithëve në Sharrë, që këta t’u japin votat. “Erdhën barakë më barakë dhe sollën nga ca fletë, po unë u thashë: -Çfarë i duam ne këto, a keni ndonjë lek,” tregon ai duke u mburrur haptazi me përgjigjen që ka dhënë. Sipas tij përfaqësuesit e fushatës u kanë premtuar krerëve të familjeve para, por të gjitha vetëm pasi të dalin rezultatet e votimeve. “Ashtu thonë ata, por lekët i fusin në xhep”, tregon i riu që pasi na kishte thënë se quhej Zabit, pranon më vonë se ka gënjyer për emrin, duke na bërë të ndjehemi jo fort mirë ndërsa ai zbardh dhëmbët. Sidoqoftë këtu edhe pse njerëzit flasin për politikën, nuk ka postera, ndoshta sepse edhe posteri është pjesë e kosumit të përditshëm të industrisë së riciklimit dhe që të gjithë mund të kenë përfunduar në ndonjë nga thasët, që janë nisur tashmë sërish për në fabrikën e letrës.
Nja dy orë më vonë
Ndërsa kemi shpeshtuar ritmin me të cilin pijmë cigaret, për të mbytur në një farë mënyre erën e ziftit dhe plasmasit të djegur, ne vendosim që të kthehemi në kryeqytet. Një nga miqtë që bëmë aty për aty në Sharrë na del garant për të na kthyer në qytet, në moment mendojmë se ai ka makinë, por zhgënjehemi dhe duket se ai thjeshtë do të na tregojë rrugën tepër të thjeshtë deri në Kombinat. M’u këtu arrijmë të kuptojmë se vërtetë kemi qenë në një fushë plehrash. Jo se kombinati shquhet për ndonjë pastërti të veçantë, por se këtu për shkak të nuhatjes së fortë të taksistit, ne mësojmë që kemi marrë me vete edhe erën e rëndë të Sharrës. Në fakt nuk para ndjehemi shumë të bezdisur e në siklet, për më shumë që tani e dimë se plehrat na kthehen të gjitha në kryeqytet jo vetëm për t’u ricikluar, por edhe si tym i pandërprerë “aromatik”, që nuk davaritet kurrë dhe që përherë na qëndron pezull mbi Tiranë.
Çështje të riciklimit
Sidoqoftë largimi prej Sharrës nuk është aq i lehtë, veç aromës që nuk të hiqet as prej ndonjë dushi të ashpër, mendja fillon menjëherë të na bëjë truke të ndryshme. Kështu nëse porosisim një birrë na shkon në mendje se shishja, mund të jetë e njëjta me të cilën kemi pirë edhe më parë një birrë tjetër, ose që kanoçja, në të cilën na ka ardhur një freskuese më parë ka qenë amballazh pesticidesh. Po në të vërtetë kush e di si dreqin është historia e shishes me të cilën jemi duke pirë, veç vajzës me kaçurrela s’dihet sa herë e ka ngritur nga plehrat për ta futur në thesin e saj, për t’ia kthyer sërish fabrikës, e cila e mbush dhe na e servir sërish në tavolinën e barit, duke i hapur punë kamarierit i cili detyrohet ta hedhë për të kushedisatën herë në kosh, në mënyrë që ne sërish ta gjejmë herën tjetër plot. Kuptohet e gjithë kjo pasi shishja ka kaluar në duart e vajzës me gërsheta të pista e cila deri atëherë mund të mos i ketë më gërshetat, por do të vazhdojë të nxjerrë prej plehrave bukën e saj të përditshme.
Shkurt 1997 (Duke qenë se më ka shteruar idetë nga vapa, po hedh disa gjëra të vjetra, kryesisht të fushës sime, me pak përpunim)….

Krasta Krau 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: