Te shpetojme femijet

Nuk ka prind shqiptar që duke përjetuar katrahurën që po ndodh në Shqipëri të mos ketë thënë me zë të ulët apo me zë të lartë shprehjen “të paktën të shpëtojmë fëmijët”. Për shumicën kjo shprehje ka kuptimin e krijimit të mundësisë për t’i nxjerrë fëmijët jashtë shtetit. Një pjesë jo e vogël, ku bën pjesë thuajse tërësisht elita, jo vetëm e gjakon, por edhe e ka realizuar këtë thirrje dëshirore. Ndërkaq jashtë shtetit gjen shumë të rritur shqiptarë që, ndonëse të mërzitur pasi nuk e kanë gjetur veten, të thonë: “s’kemi ç’u bëjmë fëmijëve, se mund të ishim kthyer.”
Por “të shpëtojmë fëmijët” ka edhe një kuptim tjetër, më të thellë, por jo pa lidhje me atë të thjeshtën thënie të shqiptarëve tanë post socialistë. Ajo është një thënie e psikoanalistit të famshëm William Reich, i cili, duke i quajtur tashmë të pashpresë të rriturit, hedh thirrjen se duhet përqendruar vëmendja tek fëmijët. Reich nuk e ka fjalën për nxjerrjen e fëmijëve jashtë një vendi ku mungon uji, dritat, drejtësia, meritorkacia e me rradhë tërë çka përbën nevojat materiale e shpirtërore si ato që ne nuk i kemi. Jo, ai e ka fjalën për nxjerrjen e fëmijëve jashtë kulturës e mendësisë së të rriturve. E ka fjalën, pra, për ndryshimin e mendësisë së fëmijëve nëpërmjet ndryshimt të kulturës së fëmijëve, çka do të thotë nëpërmjet ndryshimit të edukimit të tyre.
Ky shpëtim do të vinte kur të rriturit, të ndërgjegjësuar për atë çka janë bërë, për shkak të edukimit të prindërve të tyre, do të ndryshonin mënyrë trajtimi e edukimi të fëmijëve. Nuk është e lehtë një punë e tillë pasi në psikologjinë e prindërve, siç shkruan edhe Kafka në një letër drejtuar së motrës kur kjo u bë nënë, dominojnë natyrshëm dy tendenca thellësisht egoistike: ajo që fëmijët të bëhen realizuesit e arritjeve më të mira të prindërve, dhe ajo që fëmijët të realizojnë ato që prindërit nuk kanë mundur t’i realizojnë. Né të dy rastet kemi të bëjmë me një projektim të vetes së dashur të prindërve tek fëmijët e tyre të dashur dhe rezultati nuk është tjetër veçse një përsëritje në mos më e keqe e modelit të prindërve.
Po t’u shtojmë këtyre edhe atë që e di mirë kush ka rritur fëmijë, prirjen e natyrshme të fëmijëve për të imituar më të rriturit, kryesisht prindërit, mund të shpjegojmë pse shoqëritë kudo riprodhojnë aq shumë të njëtën kulturë e të njëjtët njerëz. Në vendin tonë kësaj prirjeje universale duhet t’i shtojmë edhe disa tipare lokale që e bëjnë edhe më konservatore shoqërinë tonë prandaj edhe më ulëritëse klithmën e Reichut për të shpëtuar fëmijët nga të rriturit. Nëse do të kërkojmë një nga tiparet më të shëmtuara të kulturës sonë lokale përsa i përket edukimit të fëmijëve them se më e shëmtuara gjë është ajo që përmblidhet në thënien që të rriturit tanë e përsërisin shpesh “më mirë mut se i vogël”. Éshtë një thënie që, thellë thellë, shpreh një kulturë sjelljeje ndaj fëmijëve. Atë të dhunimit të personalitetit të fëmijëve, të injorimit, të moskuptimit se ata, që në moshë të vogël, janë të ndjeshëm e kuptojnë shumë më tepër nga ç’u duket të rriturve. Është kultura që shoqërohet me imponim edhe me forcën e dajakut të mendimeve të rriturve e të kërkesave të tyre, e përdorimit të gënjeshtrës për t’i “gabuar”, e trembjes me lloj lloj gogolësh të improvizuar, apo me jevgj, me plaka e me qenër. Është një kulturë që e gjen të shpërndarë rëndom në krejt shoqërinë tonë. Por nuk është vetëm kaq. Ajo çka ne u mësojmë përditë fëmijëve me këtë kulturën tonë është sjellja ndaj tjetrit, kur ky është “i madh” dhe kur ky është “i vogël”. U mësojmë që të madhit tu lëpihen. Kurse ndaj tjetrit, kur ky është i varfër, i dobët, fatkeq, u mësojmë sjelljen e arrogantit e të dhunshmit, e lehtësisë së padrejtësisë ndaj tij – sikur ky të mos jetë i barabartë me të tjerët në dinjitet e të drejta, por sikur të jetë poshtë këmbëve të tyre, – çka herë herë arrin deri në kërkesën që ky të mos ekzistojë. Të gjitha këto i shkrova duke patur parasysh një ngjarje që ka ndodhur së fundi. E kam fjalën për ngjarjen e të dy binjakëve të sëmurë me Sida që u supermediatizua disa ditë më parë për shkak të kërkesës të prindërve të fëmijëve të tjerë që kërkonin largimin e dy fëmijëve nga shkolla e që, në thelb, ishte kërkesë që ata të mos ekzistonin.Ishte e paparë paturpësia e prindërve të tjerë që, pa gjetur as mënyra diskrete, arritën të shprehin hapur kërkesën e padrejtë për largimin nga shkolla të dy binjakëve. Edhe mediatizimi i kërkesës së tyre i kaloi kufijtë e arrogancës ndaj dy binjakëve të vegjël. Pyetja që lindte natyrshëm, duke parë lajmet e duke lexuar shtypin, ishte: si ka mundësi që nuk u vu kush nën petkun e atyre fëmijëve kur ka trajtuar këtë problem. Trauma që kanë pësuar ata e që me siguri vazhdojnë ta përjetojnë, – mjaft të mendosh se kjo ishte mënyra se si ata mësuan nga të rriturit për sëmundjen e rëndë që kanë – është një gjë që do të mbetet e pashlyer në psiqikën e tyre, që me siguri u ka ndryshuar jetën dhe marrëdhëniet e tyre me njerëzit. Përpara tyre është hapur një botë e mbushur me njerëz të liq dhe kjo nuk mund tu mbjellë veçse urrejtje e ndjenja negative në shpirt. Sepse ajo që ra në sy ishte mungesa e empatisë, mungesa e ndjenjës së solidaritetit ndaj atij që është në fatkeqësi, mungesa e asaj që quhet pieta që është poezia e zemrës së njeriut. Ndonëse në përgjithësi institucionet mbajtën një qëndrim të drejtë përsa i përket kërkesë për përjashtimin e tyre nga shkolla nuk mund të mos binte në sy se i vetmi argument që mbizotëroi në të gjithë debatin ishte ai se nuk kishte asnjë rrezik pasi Sida nuk mund të ngjitej me ato lloj kontaktesh që kanë fëmijët prandaj prindërit nuk kishin pse shqetësoheshim. Ishte e habitëshme se sa mirëkupëtim gjenin nëpër media ata prindër për kërkesën e tyre, se sa kujdes bëhej që ata të qetësoheshin, e se sa pak merak kishte, nga ana tjetër, për traumën që po u shkaktohej dy binjakëve të sëmurë. Sigurisht sikur të bëhej fjalë për një rrezik të vërtetë shqetësimi i prindërve do të ishte i justifikuar, por përsëri, duke patur parasysh se shkakatarët e këtij rreziku ishin dy fëmijë të vegjël, krejtësisht të pafajshëm, qëndrimi duhet të ishte shumë më njerëzor. Përkudrazi ajo që binte në sy ishte ngulmimi i prindërve për të mos e kuptuar mosrrezikun. Meraku për t’i shpëtuar fëmijët e tyre nga çdo rrezik që mund t’u vijë nga tjetri shkelte me çizme mbi çdo ndjenjë njerëzore për tjetrin. Edukimi që dhanë ata fëmijëve të tyre ishte lënia e fatkeqit në mëshirën të fatit. Nga informatat që kam nëna fatkeqe që e ka marrë sëmundjen pa pasur asnjë faj, ndaj së cilës mjekësia jonë është shumë përgjegjëse, sot jeton thuajse e izoluar jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga mjaft familjarë. Ky rasti ishte emblematik për të treguar se sa poshtë janë ato vlera që e bëjnë një shoqëri të meritojë të quhet e tillë e që fatkeqësisht nuk po u transmetohen as fëmijëve, përkundrazi. Duke ndjekur atë nuk mund të mos mendosh se shprehja “të shpëtojmë fëmijët”, me idenë e nxjerrjes së tyre nga e keqja e këtij vendi, nuk është gjë tjetër veçse rimarrje e një kulture të vjetër që nuk premton se mund t’i shpëtojë vërtet fëmijët – jo vetëm ata që mbesin këtu me “sida”, por do të thoja edhe ata që ikin. Sepse fëmijët që janë rritur nga prindër si ata që kërkuan me aq paturpësi largimin e binjakëve nga shkolla, të cilët me siguri nesër nuk do të lënë gur pa luajtur për t’i “shpëtuar” edhe nga Shqipëria fëmijët e tyre, do të mund të shpëtojnë vërtet jo duke kaluar kufijtë e Shqipërisë, por ato të kulturës së prindërve të tyre. (Korrieri, 30 tetor 2007)

 

Marre nga Perpjekja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: