Po tani ç’rëndësi ka?

Qamilit më shumë se çdo gjë tjetër i duhej një femër. Ai ishte 45 vjeç. Ishte kthyer nga Italia, mbas 6 vitesh emigrim, 2 prej të cilëve të kaluar në burg. Megjithëse jeta e burgut kish qenë e vështirë dhe drobitëse, Qamili kishte hyrë në burg 155 kg dhe kishte dalë prej tij 168 kg. Lami, shoku i tij në katër vitet e para të emigrimit, thoshte, ndoshta duke bërë shaka, por ndoshta edhe jo, që Qamili kishte në trup të paktën 20 kg mut, duke pasur parasysh masën e tij trupore.
Ata të dy ishin bashkëmoshatarë. Lami ishte shkesi për mbrëmjen e sotme. E dashura e Lamit, që ai pelqente ta thërriste thjesht ‘zjarrmi’, do të sillte me vete për kafe një shoqen e saj.
Kafja do të pihej tek bar ‘Genius’, përballë Ambasadës Amerikane dhe jo shumë larg konviktit ku dy vajzat jetonin, në rrugën e Elbasanit. Lami dhe Qamili kishin ardhur përpara dhe ishin ulur në një vend jo shumë të dukshëm nga hyrja. Vajzat erdhën rreth 10 minuta pas orarit të përcaktuar dhe i gjetën dy ‘donzhuanët’ me fare pak vështirësi. Skenari ishte ky:

Qamili quhej në fakt Paolo dhe ishte një italian që kishte ardhur rishtas në Shqipëri për të hapur një fabrikë këpucësh. Ai kishte qenë punëdhënësi i Lamit për 3 vjet në Itali. Paolo dëshironte pa masë të njihej me një vajzë shqiptare, që të bëhej ‘e preferuara’ e tij.

Vajzat vinin me ide të qarta dhe që larg dukeshin që ishin të rrahura në vaj e në uthull. Nuk kishin kohë për të humbur. Po qe për të humbur kohë, u dilnin e u tepronin bashkëmoshatarët e fakultetit, që ishin që të gjithë bythëgrisur dhe seksualisht të frustruar, por të rinj dhe të uritur. Ato ishin të veshura me rroba të ngushta dhe që të dyja ishin të lyera rëndë me makiazh.

Vajzat u ulën. Biseda qe e zorshme në fillim. Paolo nuk fliste fare. Bisedohej kryesisht midis tre pjestarëve të tjerë të tavolinës. Edhe kjo në fakt, ishte thjesht sa për etiketë, pse aty të gjithë e kishin të qartë se si do të përfundonte mbrëmja. Pas dy xhirosh Jack Daniel’s, biseda nisi të bëhej disi më e shpenguar. Paolo vetëm qeshte e bënte me kokë, duke e lëvizur me vështirësi qafën e shtrënguar nga jaka e një këmishe që e kishte blerë atë paradite me 60% ulje. Këmisha ishte më shumë se 60% e parehatshme.

…e u bë si u bë, Paolo (ose Paoloja, e thënë shqipçe) me Nertilën (kështu quhej shoqja e ‘zjarrmit’ të Lamit) përfunduan tek Alvin. Motel i dëgjuar ky për studentët, që takoheshin korridoreve gjysëm të errta me dëshirën për të qenë të padukshëm dhe një fije krenari (për djemtë), të përzierë me një fije turp (për vajzat).

U zhveshën. Paoloja më prezencën e tij njëqindegjatëdhjetetetë kilëshe dhe Nertila, së cilës tani që ishte nudo, tualeti i dukej si një maskë egjiptiane nga varrezat e faraonëve, krejt jashtë kontekstit.

Nisi aty një përleshje e zjarrtë në të cilën Paoloja dukej i avantazhuar. Dhjamrat e tij tundeshin në errësirën e dhomës duke lëvizur ajrin, që krijonte një fllad të lehtë. Çdo gjë shkonte pa probleme. Kështu mendoi Paoloja të paktën. Dhe i ngushëlluar nga ky mendim zuri kurajë. E ktheu vajzën me shpinë nga ai dhe me një këmbë në tokë e me një në cep të krevatit nisi një betejë personale sa të mundimshme aq edhe shpërblyese. Por gjërat e bukura zgjasin aq sa e kupton që janë të bukura. Paoloja, pesha e të cilit po bëhej tani e ndjeshme mbi krevatin e shumëpërdorur për të njëjtat qëllime për vite e vite, po e rriste frekuencën e goditjeve. Dhe ja, në njërën prej tyre, këmba që ndodhej mbi krevat e shqeu dyshekun, pas tij sustën e krevatit, dhe ra përtokë me një zhurmë të mbytur, por të dhimbshme duket, për Paolon të paktën, që lëshoi një britmë aspak të mbytur: “O të q?fsha tëmën e sëmës o kurvë krevat!”

Megjithatë, dhimbja ishte e pandjeshme në atë moment kënaqësie, ose të paktën jo aq e ndjeshme sa për ta ndërprerë betejën. Por kështu nuk e mendonte Nertila, e cila duke mos u besuar veshëve të saj, ktheu kokën jo pa vështirësi, dhe me një zë krejt të zhgënjyer ia briti: “Uaaaaaa, po ti qeke shqiptar(!?)”

Në këtë çast një rreze drite e goditi mu në ballë Paolon, që vetëm në atë moment u kujtua që quhej Qamil. Pa e prishur terezinë, si dhe pa e ndërprerë lëvizjen e tij harmonike, ia priti ashtu si pa të keq: “Pse ka ndonjë rëndësi tani se ç’jam?”, duke vazhduar, disi më me zell duhet thënë, punën që po bënte para se të ndërpritej nga kurioziteti fare pa vend i vajzës.

Strangeman

Margjinale me pak

Fiqereti punonte si roje nate në një parking pallati në lagjen Ali Demi. Ndërsa gjatë ditës rrinte tek Ushtari i Panjohur me një çantë me pajisje hidraulike. Gruaja e tij, Yllka, vuante nga një depresion i rëndë dhe nuk dilte nga shtëpia. Prej vitesh tashmë. Vajza e vetme, Linda, jetonte në Amerikë. Kishte gjashtë vite që nuk kthehej në atdhe. Fliste rrallë me prindërit në telefon. Një herë në 3-4 muaj dhe përgjithësisht në periudhën e ndërrimit të viteve, kur njeriu ndihet më i vetmuar kur është i vetmuar.

Fiqereti kishte kohë që ndjente një si mpirje të gjymtyrëve kur zgjohej nga gjumi. Një si gonxhe mu poshtë gurmazit, si dhe një dhimbje koke diku mbrapa syve. Gjithashtu, kishte vënë re se kolla e mëngjesit i qe bërë më e gjatë dhe më e thellë. Sikur e kishte ulur tonalitetin dhe e kishte trashur timbrin. Cigarja ishte një shoqe e pazëvendësueshme e momenteve të qetësimit, që ishin të rralla gjatë ditës, si dhe një roje e pashmangshme e çasteve të ankthit dhe nervozizmit, që gjatë ditës ishin më të shpeshta se ç’duhej. Kishin filluar t’i lëkundeshin edhe nja 2 nga dhëmbët e mbetur në gojë. Para dy ditësh i kishte rënë njëri. Në nofullën e poshtme.

Gjith e më shpesh kishte vështirësi të mëdha të flinte. E gjente veten zgjuar në 5 të mëngjesit duke numëruar makinat e parkuara. Dhe ashtu, në atë numërim monoton, i vinte dhe i ikte ndonjë mendim.

Po sikur të zhdukem. Një gotë ujë me bar miu. Me fund. Ose të hipi në majë të shkallës së pallatit dhe të kërcej nga kati i gjashtë. Po jo se ashtu bëj shumë zhurmë. Qarkullimi para shkallës do të bllokohej gjithë ditën. Fëmijët do të dilnin dhe do të tmerroheshin. Do vinte policia. Zhurmë e madhe në lagje. U hodh, do thonin. E la vajza të vdiste i shkretë, si mjeran. Linda do të kthehej nga Amerika. S’mund t’ia bënte asaj këtë.

Ah, ajo mut kufome. Sikur të mos ngelte kufoma, mendonte, do të qe vetvrarë me kohë. Kufoma e komplikonte punën. Sikur të mos ngelte kufoma ai veç do të zhdukej. Do të bënte si ato shkëndijat që shkëputen nga zjarri dhe fiken nuk dihet kurrë mirë se ku. Askujt nuk do t’i mungonte. Veç mund të bëhej kurioz për të ndonjë nga shoferët që parkonin makinën te sheshi para pallatit. Vendin e tij do ta zinte dikush tjetër brenda javës, ishte i sigurtë. Dhe atëhere nuk do të pyeste më njeri nga humbi e u zhduk Fiqo. As komshinjtë, që në këto vite ishin ndërruar disa herë. Ai kishte hequr dorë së foluri komshinjve dhe ata i ishin përshtatur situatës mjaft shpejt.

Nuk donte të ishte më i detyruar të shihte përtokë kur e shihnin në sy. Nuk donte të ishte i detyruar të shmangte shikimin e Gimit të marketit kur i vinte dita e pagesës së listës së ushqimeve dhe nuk i dilnin paratë. Nuk donte të ishte më i detyruar të shihte banakun te farmacisti, kur ai i thoshte që këtë ilaç nuk e mbulojnë sigurimet. Për këtë duhej të paguante, por ai nuk kishte me se të paguante. Dhe i thoshte farmacistit ta vendoste prapë në raft ilaçin. Kjo i kishte ndodhur dy herë. Herën e dytë farmacisti qe nevrikosur. “Pse më lodh ta marr kur e di se sa bën dhe nuk i ke lekët? A s’ke punë tjetër?” Sa turp i kishte ardhur. S’kishte vajtur më në atë farmaci. Ah, kufoma, mendonte… Kufoma e prish punën.

Një të mërkurë në darkë, duke u kthyer në shtëpi, vërejti që dritat e dhomës së ndenjies, që shihte nga oborri i pallatit, ishin të fikura. Menjëherë e kuptoi që kishte diçka jo normale në këtë fakt. Pallati kishte energji elektrike. Në këtë orë nuk qëllonte kurrë që drita të ishte e fikur. Yllka ishte gjithnjë në shtëpi në atë orë. Gjithnjë me dritën ndezur. Ndjeu gjakun t’i rrihte në tëmtha. Iu duk sikur koka iu nxeh në vend. Shpejtoi hapat për te dera dhe e hapi atë me nxitim. Brenda ishte terr. Ndezi dritën e mesores dhe pa që në dhomën e madhe nuk kishte njeri. Vetëm në atë moment i vajtën sytë nga dhoma e gjumit, që ishte e mbyllur. Për një moment shpresoi që Yllka të ishte duke fjetur. Bëri 2 hapa në drejtim të derës dhe e shtyu. Kur ndezi dritën ngjyra e parë që pa ishte e kuqja. Dhe sa kontrast bënte ajo me të bardhën e mbulesës së krevatit. Dhe pasaj e bardha e pisët e gruas së tij. Ajo rrinte si e ngrirë. Me kokën mënjanë. Duhet të kishte të paktën disa orë që kishte vrarë veten. Fiqereti nuk tha asgjë. As nuk lëvizi për disa çaste. Kokën e kishte krejt bosh. Gati si mumje iu drejtua derës së jashtme. I ra derës së komshinjve dhe i doli Irisi, bija 16-vjeçare e Nikajve. “Të lutem, merr në telefon dikë! Gruaja…ka vdekur.”
Zëri i doli pa asnjë variacion, si metalik, i thatë. Iku pa e parë reagimin e vajzës. U kthye në shtëpi dhe nuk guxoi të kthehej në dhomën e gjumit. Vajti e u ul në divan. E ndjeu sërish kokën plumb, por pa asnjë mendim. Si një kallup i rëndë, por bosh.

Duke qendruar aty, në divan, një mendim i erdhi si nga prapa kokës, si t’ia kishte pëshpëritur dikush në vesh me zë të ulët. Atij s’i kishte pëlqyer kurrë gjaku. E urrente gjakun. Gjaku ishte gjithnjë si një lajmëtar që dihej që sillte lajme të këqija. E kuptoi që i kishte shtrenguar shumë fort nofullat. Shumë fort. Sa s’po i plasnin. E kuptoi këtë dhe i liroi. Por kur hapi nofullën vërejti që i kishte rënë edhe një dhëmb tjetër. I fundit, mendoi. Ky është dhëmbi i fudit që më bie. Dhe siç ishte u ngrit, doli dhe iu drejtua katit të gjashtë.

Strangeman

(b)anale dhe e zezë

Ke kurajon të ngresh edhe pyetje. Kush je ti mor plesht të ngresh pyetje? Lind, ha, pi, dh*t, vdis. Këtë bëj. Dashke të ngresh pyetje. Jeto me dritë fikur, pa bezdisur njeri, në majë të gishtave. As mos guxo të ngresh sytë. Ti nuk je asgjë! Asgjë. Ti nuk je as fjala “asgjë”. Edhe fjala “asgjë” është një gjë. Ti nuk je. Jeta jote vlen sa një gjysmëkile shurrë e një ushtari turk që nuk e mbajti dot dhe e bëri diku në një gëmushë, aty ku sot ngrihet, për shembull, Tetova. Ti je sot sa një shurrë 550 vjeçare. Ti nuk je! Nuk je! Kuptoje këtë dhe do të kuptosh atë që je. Do të çlirohesh krejt. Do të ndihesh mirë. Jeta jote do të ketë kuptim. Do të mund të ngrihesh i lumtur në mëngjes e të lash dhëmbët, duke harruar që e vrave dhe një ditë dhe po përgatitesh të vrasësh edhe një tjetër. Po ty nuk të pëlqen kjo, a?

Epo mirë. Atëhere mbushi mendjen vetes që vlen diçka. Që ti e meriton. Që çdo gjë të është dhënë ty pse ti je Ti. Se të njëjtin fat nuk do ta kishte pasur dikush tjetër në vendin tënd, sepse ai nuk do të ishte Ti. E në fillim ti ia mbush mendjen vetes, nën zë, në kokën tënde, brenda vetes, natën. E pastaj zëri ngrihet, fillon buçet, bëhet i fortë, shurdhues. Ti përsërit të njëjtin mendim me zë të lartë, por mundohesh të ndryshosh ndonjë fjalë aty këtu, po jo ato kryesoret, si “unë”, dhe “jam”. Ato nuk mund të zëvendësohen. Sepse ti je Ti. Për ty nuk ka fjalë zëvendësuese. Dhe fillon e përsërit biseda si çekiç. Kushdo të kalon para nuk është më njeri, por një rast që ti ta godasësh me çekiç. Dhe ti godet. Godet poshtë, lart, para dhe mbrapa, majtas dhe djathtas. Dhe pastaj bëhesh i rëndësishëm. Sepse numrat peshojnë. Po kjo pak do ta ndryshojë gjënë. Nga idiot i heshtur do të bëhesh një idiot i bezdisshëm, po substanca nuk ndryshon.

Është një shprehje që të ka bërë gjithnjë përshtypje: “Në fillim gjithjnë vendosnin gomarin, pastaj vinte kali”.
Dhe ti kurrë nuk ke arritur të kuptosh cili nga këta të dy ti doje të ishe. A doje të ishe gomari apo kali? E në fund të fundit, a doje ti të ishe në atë rresht? A mundeshe ti të mos ishe në atë rresht? A mund të zgjidhje? Se ty kurrë nuk të pëlqyen bisedat nën rrogoz. Idiot! Kurrë nuk arrite të kuptosh se jeta është nën rrogoz. Dhe ti duhej vetëm të zgjidhje a doje të ishe ai që i bënte apo ai që i pësonte prapësitë e të zezat. A doje të ishe i pakënaqur, i palumtur por shkaktar, apo i pakënaqur, i palumtur pësues? Po ti, o idiot, zgjodhe pozicionin më të dhjerë: të jesh pësues i vetëdijshëm. Po kush kujton ti se je, mor idiot?

P.S.
Sa më sipër nuk e kam shkruar për veten, por për atë idiotin që më del në pasqyrë sikur do të më zerë pusi që sa pa hapur mirë sytë. Nuk e di ç’kërkon prej meje ky tip insistues dhe gjithnjë me humor të keq. Dhe i vjen erë edhe goja dhe nga njëri sy është 30% qorr. Monstër hesapi. Madje edhe ky blogu është më shumë i tiji sesa i imi. Ky është idiot fare. Edhe atë copën unë vetëm se e nisa, ky e mbaroi. Nuk më la ta shkruaja unë. Unë kisha në mend të fusja ca lule aty-këtu, ndonjë kafshë që kullot, ndonjë pamje idilike me një fjalë. Po ja që erdhi ky idioti që po thoja dhe ma prishi fare idenë.
Dhe më e keqja është që edhe këtë që po shkruaj tani nuk e di mirë se kush po e shkruan, unë apo idioti…lwkjd jkcehrc 9823z4 iocrh quwerhlujkdf ocoidsfh ierwq0ei9rj cosjfeofc çhe9urt hësighfq98 ur….

Strangeman

Miza-miza

Nese ka nje simbol unifikimi ne metropolin e vetem te Shqiperise, perndryshe shume heterogjen, ky do te duhej te ishte televizori. Simboli qe na bashkon edhe atehere kur jemi te ndare. Pjesetari i vetem i familjes shqiptare qe arrin t’i bashkoje anetaret e familjes rreth vetes. Autoriteti i vetem i shoqerise shqiptare qe e respektojne te gjithe. Feja e vetme se ciles i falen te gjithe, pavaresisht nga preferencat personale fetare.Televizori eshte edhe i vetmi stimulus akoma ne gjendje te inicioje ndonje ndjenje tek njerezit, te cilet veshtiresite e jetes se perditshme; rafinimi i artit te te mbijetuarit, i ka bere te pandjeshem bile edhe ndaj vetevetes. Qeshin. Renkojne. Lengeshtohen. Bertasin te lumtur. Bertasin te nervozuar. Shajne. Qeshin prape.

Zgjohesh ne mengjes, veprimi i pare eshte hapja e televizorit. Miremengjes, te thote nje spikere. Miremengjes, ta kthen spikerja tjeter. Shkon ben kafen. Nje sy te kafja e nje sy tek televizori. Fillon rrufitjen e kafese; nje sy tek televizori, nje sy tek femija qe ngrihet nga gjumi. Pergatit femijen per ne shkolle, nje sy gjithmone tek televizori. Flet me bashkeshortin dhe nje sy e ke tek moderuesi me sy te qeshur e ndjelles i televizorit. Ha buke, televizori gjithmone aty. Takon njerez ne rruge i pyet, nese e pane ate programin X ne televizor. Fillon e diskuton me pasion. Perserit te qeshurat, renkimet; lengeshtimin, bertitjen; sharjen dhe te qeshuren prape ne te njejtin moment si edhe dje. Dhe e rindjen se je akoma gjalle.

Televizori te zgjidh shume probleme. P.sh., edukimin e femijeve. Ne vend te vrasesh mendjen se cfare mund te besh sot me femijen tend, ne vend te harxhosh kohen duke i blere apo lexuar nje liber; ne vend te luash me te ndonje loje kreative per trurin dhe shpirtin, ne vend te shkosh me te diku ne ajer te paster me peme e zogj e lodra; i ble femijes nje televizor, ja fut edhe ne dhomen e tij dhe ke gjithe kohen e mundshme per te pare e jetuar me televizorin e dhomes se pritjes.

Per femijet e cdo moshe, televizori eshte i vetmi burg i lire: mund ta shohin nga mengjesi ne darke, pa kufij; pa mose, pa censure. Te burgosur ne pamjet maratone shpesh te padeshifrueshme te televizorit syte e tyre jane vetem me miza. Po keshtu edhe truri. Do te duhej ndoshta nje fshirese xhamash makinash per morine e mizave te syve. Po, ato te trurit me cfare mund te pastrohen valle?

Cfare? Nuk i lejojne te shohe televizor? – pyet me nje fytyre te shperfytyruar nga irritimi kusherira T. ku kemi shkuar te bejme vizitat e nderit. I hedh nje sy tim biri, e sheh sikur te ishte gjynahqari me i madh i botes dhe, ne vend t’i drejtohet telefonit per t’u ankuar ne qendren e femijeve te keqtrajtuar, e zgjidh situaten vete duke ja vene televizorin e dhomes se pritjes atij ne dispozicion. Duke sakrifikuar keshtu te rriturit e tjere, bashkepjesetare ne kete minitragjedi. Syte jane drejtuar te gjitha drejt meje. Presin nje sqarim.

Kollitem per te pastruar pak sikletin dhe me nje fije zeri shpjegoj qe femija i keqtrajtuar, im bir, eshte akomajo katervjec. Mjaftojne 10 minuta televizor ne jave. Me program te pershtatshem per moshen e tij. Si, psh, perrallat e urithit te vogel.

10 minuta ne jave? – gati ulerin T. – Keta nuk jane ne vete. Me fal, po ty per cfare te kemi cuar jashte, per te luajtur nga fiqiri? Po, lihet femija pa televizor? Ja, shikoje; gjithe keto programe, jane vetem per femije. Kanal per femije ky. Pse, c’kujtoni ju te jashtmit, se ne nuk dime?

E shoh kanalin per femije qe jep ca filma me kartona ku ca qenie qe nuk e marr vesh nga c’fantazi e percartur kane dale, jane te ngarkuar me arme te madhesive nga me te ndryshme; e qellojne nga cdo lloj pozicioni i mundshem, pa pushim. Nuk ju mbarohet asnjehere municioni. Ata me te bardhe duhet te jene te miret, te zinjte te keqinjte. Sigurisht, kjo eshte shume edukative. Sepse: e mira duhet gjithmone te triumfoje. Edhe pse kjo e mira e ketij filmi, po ashtu si edhe e keqja: vetem vret.

Per hir te se vertetes, mua jashte shtetit nuk me ka cuar fare kusherira. Bile as prinderit. Ika vete, me konsens te prinderve; per te luajtur me fiqirin, per ta rigjeneruar e edukuar ate. Por, gjendja mentale e fiqirit tim eshte ne keto momente nje madhesi e definueshme vetem nga farefisi. Bile, edhe edukimi i femijes tim eshte bere kompetence farefisi. Sepse: cdo gje kthehet ne farefis. Ligj termodinamike.

Largohem per ne qytetin K. per dy dite dhe kam vetem nje porosi per prinderit dhe farefisin: jo djalin para televizorit. Jo miza-miza. Mos ki merak, ma kthen me gojen plot farefisi, ne krye prinderit. Dhe une nisem me mendjen e qete.

Prinderit kane dixhital. E kush nuk ka. E, per te komanduar nje televizor me dixhital do pak mjeshteri. Ne fillim ndez televizorin me telekomanden e televizorit. Pastaj, merr telekomanden e dixhitalit dhe fillon kerkon 1001 mizat.

Kur kthehem nga qyteti K. gjej tim bir me dy telekomandat ne dore, komandat absolut i te dyja nendeteseve qe zhyten kaq lehtesisht ne thellesite e lendes misterioze gri. Me qesh dhe me mburrje me tregon: shiko mami, dhe tak-tak, nga miza ne mize. Mua nuk me ngelet vecse te ulem e pafuqishme ne divanin komunist.

Nuk flas, nuk degjoj, shikoj miza-miza. Prinderit miza-miza. Im bir miza-miza. Dhe enderroj ate fshiresen e xhamave qe m’i pastron mizat si me magji ne fantazite e mia. Por, fshirese nuk ka. Dhe une rri ulur ne divanin e vjeter komunist. Duke numeruar oret qe me kane ngelur deri ne takimin me analistin A.F dhe vajzen e tij kater vjecare Lena, neser, tek kafe Piazza ku ka disa peme palme dhe nje shatrivan.

Botuar fillimisht tek Selfmade Radio