Per Pipin corapegjaten

Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet politike, ndjeva një si ndjenjë veljeje dhe refuzimi për tu marrë me politikën dhe personazhet e saj në shkrimin e fundvitit. Pse duhet edhe në këto atmosfere festive të merrem me politikën që në tërësinë e vet nuk ka bërë tjetër veça na ka ndotur jetën plot me imoralitet dhe injorancë dhe, në një farë kuptimi, na ka prishur edhe festat?
Por, nga ana tjetër, “sëmundja prefesionale” tashmë nuk na le të ikim krejt nga politika. Nuk na le edhe ajo dëshira gjithnjë e më e pangopur për të ndryshuar shoqërinë e për të shpresuar ditë më të mira. Tek e fundit çdo gjë që themi e bëjmë publikisht është politikë.
Dhe në këto mëdyshje ja ku më duket se e gjeta, teksa po shfletoja e kërkoja libra për vajzën time të vogël gjysëm shqiptare dhe gjysëm italiane, një temë/personazh me të cilin do t’i bashkoj të dyja në këtë shkrim të fundvitit 2005: edhe ikjen në këto ditë feste nga personazhet e politikës sonë edhe ndejtjen në politikë, me pasionin për më shumë vërtetësi, liri dhe emancipim shoqëror.
Personazhi është Pipi Çorapegjata. Tema është sa për të vegjëlit aq edhe për të rriturit, madje më shumë për këta të fundit: është një përpjekje për të gjetur se çfarë duhet të bëjmë për të transformuar shoqërinë tonë që duket se riprodhon pareshtur një kulturë represive, të dhunës, konfliktit, shtypjes dhe nënshtrimit. Dhe një nga përgjigjet (në fakt të shumta) nuk mund të mos jetë sjellja ndërmend e thirrjes së William Reich-ut: “të shëpëtojmë fëmijët!”, sepse të mëdhenjtë janë pa shpresë, tashmë, ajme. Por si mund të ndryshojnë fëmijët kur ata modelohen sipas kërkesave dhe kulturës së të mëdhenjva? Kjo është çështja. Megjithatë edhe shoqëritë më konservatore kanë ndryshuar në kontakt me qytetërime të tjera. Madje janë pikërisht këto kontakte që kanë sjellë ndryshime në të gjithë botën.
E pra edhe unë në këtë prag të vitit të ri mendova të sjell në vëmendjen e fëmijëve dhe të rriturve shqiptarë, si një dëshirë dhe urim, një personazh që pak ose aspak e njohin dhe aq më pak e kanë si model. Është Pipi Çorapegjata, personazhi i librit më të famshën suedez për fëmijë, i botuar 60 vjet më parë.
Pipi është aq e famshme sa ka studiues që thonë se është e kotë të studiosh libra për të kuptuar sekretin e “modelit suedez” apo të financosh ekspertë që do të na jepnin formulat magjike për të na shpjeguar se pse në këtë vend jetojnë më mirë se kudo tjetër në botë, pa varfëri dhe pa konflikte. Jo, thonë ata, për të kuptuar Suedinë duhet të marrësh rrugën e të shkosh në Vimmerby, në pyjet jashtë Stokolmit ku do të gjesh me mijëra fëmijë në parkun e Pipit, që është plot me shtëpi të shtrembëra druri. Është një spektakël i vërtetë. Vajza me parruke të kuqe si të Pipit, (një pjesë nuk kanë nevojë se i kanë nga natyrë flokët ashtu), gjysëm të zhveshura në mes të të ftohtit dhe me faqe të kuqe flakë, me këpucë shumë të mëdha me rrobat të lëshuara; djem të vegjël që ndihmojnë njëri tjetrin për t’u hipur kuajve prej kartoni dy metra të lartë, apo që, nëpërmjet disa shkallëve të rrezikshme ngjiten mbi çatitë e shtëpive prej druri dhe rrijnë kaluar mbi to.
Duke përfytyruar këtë pamje nuk mund të mos kthehesh e të mendosh fëmijët tanë në parqe tona, (parqe u thënshin sepse janë ngritur më shumë për të rriturit pranë ndonjë kafe restoranti) ku tek rrëshqitësja dhe kolovajzja sheh gjithnjë një të rritur që mban fëmijën që i thotë kujdes, mos u bë pis, mos vritesh, mos, mos. Mendoni se sa prindër shqiptarë do ta linin një fëmijë të kalëronte mbi çatinë e një shtëpije pa e ndjekur me vrap duke i bërtitur që të zbresë shpejt dhe pa i kursyer edhe shpullat bythëve po nuk u bind.
Edhe italianët që kërkojnë emancipimin nga kultura e tyre tradiconale e bëjnë këtë krahasim me Pipin. Ankohen se fatkeqësisht ata kanë Pinokion nëpërmjet të cilit u mësohet fëmijëve që në moshën tre vjeç se nëse nuk shkojnë në shkollë do tu bëhen veshët si të gomarit, se po thanë gënjeshtra do tu rritet hunda, se nëse sillen keq do tu ndodhin gjëra të tmerrshme, por ama gjithnjë për fajin e tyre. Dhe se duhet të pendohen për fajet, të jenë fëmijë të mirë, të sjellshëm të dëgjueshëm me të mëdhenjtë kur ata i qortojnë. Shkurt model i një kulturë represive të ndëshkimit dhe nënshtrimit. Kurse ne shqiptarët kemi një dynja më tepër gogolë për tu kallur fëmijëve frikën e ndëshkimit, që e bëjnë kulturën tonë tejet më represive. Ne edhe kafshët ua bëjmë armiqësore duke u thënë: të ha qeni, të ha ujku, të ha ariu. Jo rrallë edhe të zinjtë e evgjitët i përdorim për t’i frikësuar. Dhe kur nuk na mjaftojnë këto kemi edhe “drurin që ka dalë nga xheneti”. (E pastaj kërkojmë të shpjegojmë racizmin tonë apo britmat histerike për rivendosjen e dënimit me vdekje).
Kurse suedezët, pra, kanë Pipi Çorapegjatën. Që jeton vetëm, që nuk ka as mama dhe as baba, dhe më mirë kështu sepse nuk ka asnjë që t’i thotë se duhet të shkojë në shtrat herët, pikërisht atëhere kur sapo ka filluar të dëfrehet; që ha shtrirë mbi tryezë me pjatën në karrike dhe askush nuk i shpjegon se duhet të rrijë drejt; që fle mbrapsh me këmbët në jastëk sepse kështu i pëlqen; që nuk ka as prindër, as mësues, asnjë të rritur përreth, as edhe një koqe edukatori, as ndonjë kryetar që ta drejtojë.
Pipi jeton e vetme në një shtëpi prej druri që qëndron në këmbë si për mrekulli. Po ta shohësh nga jashtë duket si shtëpi e braksisur por jo, brenda jeton Pipi nëntë vjeçare bashkë me një kalë dhe një majmun, zotin Nelson: po po mu brenda në shtëpi jetojnë edhe kali edhe majmuni. Gatuan vetë, vishet vetë me një çorape të verdhë dhe një jeshile, me këpucët shumë të mëdhaja, sepse asnjë nuk i thotë se kjo është “shumë”. Pipi që është e lirë, e vetmjaftueshme, e pavarur, e fortë, plotësisht autonome, bujare, e mënçur me atë mëçurinë e mrekullueshme dhe absurde që kanë fëmijët përpara se të rriturit tu shpjegojë se e kanë gabim, se kjo nuk bëhet kështu, se rregulli është ndryshe. Pipi që është aq e fortë sa mund demat, gjarpinjtë, hajdutët, policinë dhe fantazmat në çati. Në fakt gogolët dhe fantazmat i mund duke i bindur, ajo flet me to. Pipi që është e bukur me syzet dhe hundën si patate dhe gërshetat përpjetë. Pipi që është e lumtur.
Kanë shkruar me qindra ese për Pipin: e kanë cilësuar modeli suedez i rebelimit, i feminizmit, pacifistja, aventurierja, antiautoritarja. Disa organizata prindërish dhe disa edukatorë edhe e kanë dënuar. Në libër është edhe personazhi i një nëne që nuk do që e bija e saj, Annika, vajza e miredukuar e asaj kohe, të rrijë me Pipin sepse Pipi është shoqe e keqe. Edhe sot në Suedi kur duan të thonë je bërë i mërzitshëm të thonë “Mos u bë Annika.” Duket se me revolucionin e 68-tës Pipi nga minorancë u bë mazhorancë. Kurse vendet konservatrore dhe diktaturat e kanë cenzuruar librin me Pipin, si anarkist, revolucionar, (edhe komunist e kanë cilësuar diktaturat e djathta).
Por ndërkaq Pipi mrekullon fëmijët dhe tremb të rriturit. “jam një gjëragjetëse thotë Pipi. Bota është plot me gjëra që presin të gjinden.” Pa frikë, me fatin që ndihmon gjithnjë guximtarët, me gëzimin e të pafajshmëve, Pipi gjen gjëra e i dhuron dhe kështu, tek e fundit, nuk është kurrë e vetme: është gjithnjë plot me ato që ka gjetur dhe ka dhuruar.
Dhe pastaj njerëzit pyesin: si ka mundësi që në Suedi parlamenti ka 50 përqind gra? Si ka mundësi që kanë 18 muaj pushim kur lindin një fëmijë? Si ka mundësi që gratë punojnë më shumë sesa burrat dhe nuk e njohin papunësinë dhe çojnë përpara ekonominë? Si ka mundësi që ato i gjen jashtë natën në drejtim të ndërmarrjeve edhe kur është terr i frikshëm? Si shpjegohet që nëse policia gjen në Suedi një klient me një prostitutë çon në burg klientin? A i dedikohet kjo vetëm Pipit? Sigurisht që jo. Ka njëqind arsye si ligjet e mira, edhe shteti social i përsosur, por të kesh një model të tillë, si Pipi, me të cilin rritesh pa dyshim që edhe kjo ndihmon.
Sikur të rrisnim edhe ne ca më shumë fëmijë si Pipi Çorapegjata ndoshta një ditë do të shpëtonim nga ata që, sikurse u angazhova në kryre të artikullit, nuk dua tua përmend emrin dhe bëmat në këtë shkrim të fundvitit festiv. (Korrieri, 30 dhjetor 2005)

Marre nga Perpjekja

Libra per femije

Ne se kerkon ne Tirane libra per femije nuk e ke te veshtire per t’i gjetur: Jane ne cdo librari dhe me dhjetra. Por pasi i merr ne dore dhe i hedh nje sy te shpejte reagimi i pare eshte mbledhja e buzeve. Leter e papershtatshme, tejet e holle qe nje femije i moshes njevjecare e kthen ne nje top letre pa asnje problem. Cilesi botimi shume e dobet: figura te paqarta, germa qe notojne, estetika ne minimum. Fabula shpeshhere te paqarta dhe te papershtatshme per moshen. Gabime te panumerta ortografike. Kopime te keqija te librave te huaja per femije. Pershtypja e kaosit qe te lene vete librarite, ku me dhjeteramijera libra jane ngjeshur e ndrydhur njera mbi tjetren rremujshme e pa sistem, shoqeron edhe vete librat, sidomos ato per femije. E megjithate, nese germon mire e mire per ore te tera neper librari mund te gjesh edhe ar. Ja nje perzgjedhje e disa prej librave per femije me te mire, qe do te duhet te ishin ne cdo biblioteke femijesh te moshave nga 6 muajshe deri 10 vjec.

Ciu Ciu kerkon mamin

Nje liber i perkthyer dhe i pershtatur per mrekulli ne shqip. I bere me leter te trashe dhe rezistente ndaj ujit libri eshte shume i pershtashem per moshat fare te vogla. Libri ka nje fabul te thjeshte: zogu ciu ciu kerkon mamane e tij. Kjo fabul jepet ne formen e nje poezie te vogel, ku vargjet rimojne si muzike. Jo vetem kaq, por fabula paraqitet me vizatime jashtezakonisht te bukura dhe plot ngjyra te gjalla te Tony Wolf qe nuk e lene femijen, por as edhe prindin, indiferent. Libri ka ne qoshe nje buton te vockel, nga shtypja e te cilit del tingulli i cicerimes se zogut. Jo vetem liber por edhe nje loder.

Po ne te njejten stil, eshte edhe libri “Tedi dhe telefoni i tij”. Sic e thote edhe vete titulli, arushi Tedi ka nje telefon, te cilin ai e perdor per te folur me prinderit, gjysherit dhe shoket ne prag te ditelindjes se tij. Historia tregohet perseri me rime, vizatimet jane perseri nga Tony Wolf dhe ne qoshe ka perseri nje buton nga shtypja e te cilit del tingulli i nje telefoni. Te dy librat, si Ciu-ciu ashtu edhe Tedi jane jashtezakonisht didaktike, luajne me ngjyrat, tingujt dhe materiale qe nxisin shqisat e bebeve, por jane edhe te bukur per nga fabula dhe muzika e vargjeve per femije te moshave deri ne 4 vjec. Shtepia botuese CDE informon ne faqen e fundit te librave se ka nxjerre nje seri te tille librash, por ne mundem te gjejme vetem keta te dy. Na eshte akoma e paqarte nese librat jane hedhur ne qarkullin por jane mbaruar apo do te hidhen se shpejti ne qarkullim.

Shtepia botuese Cabej nuk e ka lene pas CDE dhe ka ndermarre iniciativen e te botuarit te librave – Puzzle. Ashtu si edhe ne rastin e mesiperm, libri eshte interaktiv: jo vetem tregohet nje fabule, por vizatimet qe shoqerojne fabulen shperbehen dhe ribehen perseri. Shqipe e paster, vizatime eksplozive dhe estetike, material i pershtatshem per femije te moshave te vogla. Libri mund te perdoret si per bebe ashtu edhe per femije te moshave me te medha. Ne mundem te gjejme vetem Kesulekuqen dhe na eshte e paqarte ne se do vazhdohet me tej me kete projekt.

Libra informative-edukative

Shtepia botuese Ombra i eshte drejtuar me botimet e saj femijeve paksa me te rritur, nga 3 deri ne 10 vjec. Librat e saj jane te perqendruar rreth nje teme te caktuar, psh Pema, Planeti yne, dhe ne menyre shume didaktike jep nje informacion te plote, te thithshem per lexuesin e vogel. Shpesh informacionet qe jepen nuk jane interesante vetem per femijet por edhe per te rriturit. Librat jane bere me nje material shume te mire, jane shume terheqes, fusin konceptin e indeksit, gje qe e ben shfletimin e librit nje loder shume te thjeshte, gjuha eshte e paster dhe ilustrimet vizatimore estetike. Librat synojne jo vetem te japin informacione por edhe te edukojne lexuesin me ndjenjen e perkujdesjes per mjedisin ku jetojme, per natyren dhe njerezit. Shtepia botuese Ombra ka nje seri librash te tilla dhe ne pa asnje me dyshje do ja rekomandonim ato cdo familjeje me femije.

Te gjitha librat e perzgjedhura i kane te gjitha kualitetet per t’u krahasuar me botimet me te mira boterore. Te bukura, te thjeshta, terheqese, interaktive te gjithe keto libra, dhe ato qe shpresojme do t’i ndjekin nga pas, e kane potencialin per te krijuar traditen e librit qe nuk vdes nga koha, traditen e librit qe kalon nga nje brez tek tjetri, traditen e librit qe ngelet ne biblioteken e familjes dhe pret te lexohet edhe nga femijet e femijeve te sotem.

Botuar fillimisht tek Selfmade Radio